Kryetari i PD-së, Sali Berisha tha sot se Arben Ahmetaj nuk ka firmosur për inceneratorët e Tiranës dhe Elbasanit, ndërsa për Fierin, shprehet se do ta verifkojë.
Tiranën, deklaroi Berisha, Ahmetaj ia faturoi Erion Veliajt, për Elbasanin theksoi se firmosi ish-ministri Shkëlqim Cani. Por ku gaboi Ahmetaj? Ish-kryeministri në konferencën për mediat u shpreh se Ahmetaj kishte informacione për shkeljet, por nuk i denoncoi.
“Ka një moment që vetëm Edi Rama mund ta lëvizë: fondin rezervë të Këshillit të Ministrave. E gjithë qeveria të bëhet së bashku, atë nuk e lëviz dot pa firmën e kryeministrit. Këtu është Arben Ahmetaj brenda.
Se dje u hoq sikur është dorëjashtë. Se ai ka firmosur për fondin rezervë të Këshillit të Ministrave. Ka zbatuar një urdhër të paligjshëm dhe është përgjegjës. Arben Ahmetaj, në intervistën e tij, ia numëroi ku e meritonte, Erion Velisë.
Dhe aty, Arben Ahmetaj ka të drejtë. Sepse ai vetë, thotë që nuk ka firmosur për Elbasanin, Tiranën dhe Fierin. Për Tiranën, e sigurt që nuk ka firmosur. Për Elbasanin, sado që është thënë se Shkëlqim Cani nuk ka firmosur, rezulton se ka firmosur.
Prandaj edhe këtu, ky që e quajnë Tigri i Korrupsionit, nuk ka vënë firmën. Por nuk ka diskutim se Erion Veliaj, pas Edi Ramës, nga ana ligjore, është njeriu me ligj, më kryesorët. Sepse djegësi i Tiranës ishte 128 milionë euro.
Erion Veliaj shkeli çdo ligj që ajo të bëhej realitet. Firmosi vendime që i takonin Këshillit Bashkiak, firmosi vendime që i takonin Qarkut, kur qarku nuk ishte mbledhur asnjëherë. Prandaj e tha ai, ndiqni paratë.
E vërteta, Arben Ahmetaj nuk ka firmosur për Tiranën, ka larë duart. Shkruan se ky është një problem i qeverisë vendore.
Dhe sipas tij, ka bërë një seri vërejtjesh për këtë. A mund të quhet i pafajshëm ai që sheh krimin, por nuk e denoncon? Ai thotë as për Fierin nuk kam firmosur, do ta verifikoj këtë” tha ai.