-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bledar Dervishaj: Kushtetuesja e nisi vitin me mbylljen e dyerve të saj për pakicat parlamentare

Kryesoret

Gjykata Kushtetuese e nisi vitin 2023 me mbylljen e dyerve të saj për pakicat parlamentare duke zgjeruar edhe më tepër fuqinë dhe kompetencat e shumicës.
Sot Gjykata Kushtetuese zbardhi dy vendimet e saj nr.1 dhe nr. 2, datë 18.01.2023 për shqyrtimin e çështjes mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Vendimarrja e shumicës së anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese i dha të drejtë kërkesës së 1/10 së deputetëve të opozitës, duke i rrëzuar si antikushtetuese vendimet e Kuvendit për dy raportet e Këshillit të Mandateve lidhur me mandatin e Xhaçkës, por nuk e mori në shqyrtim çështjen në themel sipas kërkesës tjetër të opozitës 1/5 së deputetëve të Kuvendit, me argumentin se është shumica në Kuvend që duhet të marrë vendim për ta përcjell çështjen për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Për sa kohë që Kuvendi nuk ka vendosur për dërgimin e çështjes në Gjykatë, ajo nuk mund të aktivizohet për shqyrtimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Këtë thotë gjykata Kushtetuese.
Nga leximi i argumemtave të shumicës, unë mendoj se Gjykata me këto dy vendime ka pakësuar jo vetëm mekanizmat e kontrollit dhe balancës brenda Kuvendit, por ka pakësuar dhe kompetencat të vet Gjykatës Kushtetuese.
Kjo do të thotë që maxhoranca fuqizohet edhe më shumë, ndërsa pakicat dobësohen. Pra më pak mjete demokratike kontrolli në dorë të opozitës, sot e në vijim.
Me vendimet e zbardhura sot po krijohet mburojë hermetike për shqyrtimin e çështjes në fjalë, sepse nëse ajo çështje mund të shkojë për shqyrtim në GJK, kjo ngelet në dorë vetëm të vullnetit të maxhorancës.
Kjo do të thotë që Gjykata Kushtetuese ka kufizuar ndjeshëm kompetencat dhe rolin e saj në Republikën Parlamentare. Praktikisht ajo me dy vendimet e saj, i ka krijuar një kompetencë të re dhe terren të pamerituar veprimtarie e vendimmarrje organit politik, pra shumicave parlamentare kurdoqofshin e sidoqofshin.
Gjykata jo vetëm e ka lënë çështjen pa zgjidhje, por e ka futur shqyrtimin e saj në një rreth vicioz politik që shumica/t sot apo nesër ta rrotullojnë e ti sjellin vërdallë këtë çështje apo të tjera të kësaj natyre.
Më troç, nesër e në vijim, do ngelet në cipën morale/përgjegjshmërinë e shumicës, nëse e dërgojnë ose jo çështjen e papajtueshmërisë së mandatit për shqyrtim në Gjykaten Kushtetuese.
Në rastin konkret, GjK aty e kishte çështjen sepse ia kishte paraqitur pjesa tjetër e opozitës 1/5 deputetëve, por ajo nuk pati kurajon ta shqyrtonte.
Nëse shumica parlamentare nuk dëshiron ta dërgojë çështjen për shqyrtim në GjK, atëherë deputeti qoftë kur është i shumicës apo i pakicës (por i duhet shumicës si numër vote), mund të lejohet të ushtrojë një mandat edhe pse ai është antikushtetues, thjesht e vetëm se shumica nuk bën një shkresë përcjellëse për ta dërguar çështjen për shqyrtim në GJ.Kushtetuese, ndërsa kjo, sipas vendimeve të sotme nuk do të ndërhyjë dhe shqyrtojë më për asnjë arsye këto çështje, po nuk e solli letrën shumica pavarërisht kërkesave të paraqitura nga pakice.
Në thelb, kjo është përmbajtja e dy vendimeve të çështjes Xhaçka që Gjykata Kushtetuese ka zbardhur sot, vendimmarrje kjo e cila për mendimin tim nuk është kurajoze.
Është e paprecedentë dhe e papranueshme për rendin demokratik dhe shtetin e së drejtës që Gjykata Kushtetuese të kufizojë njëkohësisht si rolin dhe mundësinë e pakicave për të kontrolluar kushtetushmërinë e mandatit të deputetëve të shumicës por njëkohësisht të kufzojë dhe kompetencat dhe pozitën që Kushtetuta i ka dhënë vet Gjykatës kushtetuese.
Është tmerruese, e paprecedentë që GJK, normave kushtetuese në unitetin e tyre u jep kuptim, me natyrë kufizuese dhe jo zgjeruese të kompetencave të saj (GjK). Këtë ka bërë Gjykata Kushtetuese me dy vendimet e saj. Në demokraci është gjykata ajo që kontrollon qeverisjen/ligjbërjen, e që vendos përfundimisht për ndarjen e kompetencave dhe kushtetushmerinë e akteve dhe papajtueshmërinë e mandateve, dhe jo politika.
Nëse qeverisja, ligjbërja, vendimmarrja e tyre, apo edhe gjyqësorit në shkallë më të ulta përmbajnë elementë jo të mirë dhe antikushtetutshmëri është gjykata kushtetuese garante e kushtetutës ajo që kontrollon dhe vendos përfundimisht në nivel kushtetues.
Shqipëria nuk as është as Finlanda, Suedia, apo Gjermania, ku morali publik e politik i detyron shumicat në Parlament të sillen e të veprojnë korrekt dhe me moral. Kultura jonë parlamentare nuk ka arritur deri aty dhe për shumë kohë duket se nuk do të arrijë.
Habitem se si Gjykata Kushtetuese ka arritur në këto konkluzione, ku kushtetuta e Shqipërisë dhe vendimet e saj do të aplikohen në terrenin shqiptar.
Gjykata me këto dy vendime të saj në vkerësimin tim ka mbyllur dyert e saj një herë e përgjithmonë, duke i lënë këto lloj çështjesh për zgjidhje “de jure” vetëm domein i terrenit politik shqiptar që siç të gjithë e dimë është acid dhe aspak moralist, ndërsa “de facto” në dorë vetëm të mazhorancave të sotme apo të nesërme.
Ata deputetë opozitarë të Kuvendit, pra pakica e 1/10 që menduan se fituan këtë çështje, në fakt referuar interpretimit të Gj.Kushtetuese në vendimet e saj kanë humbur “me dinjitet” jo vetëm për vete por për të gjithë shoqërinë shqiptare.
Jo vetëm kaq, por Gjykata Kushtetuese duke i shpallur ata në dukje si “fitues” në fakt, jo vetëm jua ka mbyllur derën atyre personalisht një herë e përgjithmonë, por të gjithë opozitave të sotme dhe të atyre që do të vijnë.
Nëse deputetët e pakicave do duan të mbrojnë e paraqesin këto çështje, ata do munden të shkojnë në dyert e Gj. Kushtetuese vetëm nëse këtë e dëshiron shumica.
Mos të harrojmë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese edhe në pjesën arsyetuese të tyre, përpos pjesës vendimmarrëse, pavarësisht se Gjykata në rastin konkret, është shpesh herë kontradiktore.
Na i bëri edhe këtë “nder” shumica e trupës gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese që në rifreskim e sipër ka marrë këto vendime.
Jam i sigurt që shumica parlamentare nuk mund të jetë e kënaqur me këtë vendim. Ajo mund të buzëqesh momentalisht, por do hidhërohet nesër kur të jetë vet pakicë.
Ndërkohë që, duhet respektuar mendimi kundër dhe qëndrimi i pakicës i trupës gjyqsore në vendim. Do veçoja qëndrimin objektiv të gjyqtares zj.Sonila Bejtja. Sipas arsyetimit në pakicë të gjyqtares Bejtja, kërkesa e 1/10 së deputetëve duhej të rrëzohej, pasi i heq gjykatës mundësinë për të vlerësuar në themel çështjen në bazë të kërkesës së 1/5 së deputetëve. Bejtja argumenton më tej se ky mekanizëm është mënyra e vetme për të vënë në lëvizje juridiksionin kushtetues, në rast se Kuvendi nuk vepron në përputhje me detyrimin kushtetues.
Ky duhet të ishte edhe qëndrimi i shumicës, e cila duhet ti kishte bashkuar të dy kërkesat e paraqitura veç e veç nga deputetët e opozitës (1/10 + 1/5 deputetëve) për shqyrtim të përbashkët dhe ta kishte zgjidhur çështjen në themel.
Kjo fatkeqëdisht nuk ndodhi, tani të rrimë e të presim sesi do të sillet Kuvendi (shumica) me çështjen në fjalë.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit