Pasi tanket ruse hynë në Ukrainën lindore një vit më parë, miliona ukrainas u larguan drejt Polonisë. Shumë prej tyre arritën më këmbë tek pika kufitare në Medyka, ku i prisnin agjenci të shumta humanitare.
Pas 12 muajsh, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, u rikthye në Medyka për të parë se çfarë ka ndryshuar dhe se si autoritetet po përgatiten për një valë të re të mundshme refugjatësh.
Jeta e shkurtër e Danilit është kthyer përmbys nga sulmi i Rusisë. Ai dhe nëna e tij Julia, u larguan nga Kievi një vit më parë. Ata qëndruan në Dnipro, por u shtrënguan të largoheshin sërish pasi qyteti u sulmua dhe sapo kanë mbërritur në qytetin kufitar polak Medyka.
Tashmë ata kanë një plan. Partneri i ri i Julias është shofer kamioni. Ata do të jetojnë në kamionin e tij, ndërsa ai përshkon rrugët e Evropës.
“Nuk është aq keq, pasi është shumë ngrohtë dhe kemi rrymë elektrike. Dhe është shumë interesante për djalin tim. Kam një djalë tre vjeç dhe nuk është aq keq. Ka siguri për ne”, thotë Julia Tenchuk.
Polina Osadacha ndihmon për t’u kujdesur për Danilin. Ajo është vetë refugjate, që tashmë punon për OKB-në në qendrën e pritjes së refugjatëve në pikën kufitare në Medyka. Ajo thotë se ukrainasit po i përshtaten luftës.
“Kur filluan problemet me prerjen e dritave, njerëzit u stresuan, u tronditën, çfarë duhej të bënin? Por, tashmë kanë gjeneratorë. Kanë bateri për energjinë”, thotë zonja Osadcha.
Britanikët Mo Hornik dhe Mikey Stewart-Richardson janë me organizatën bamirëse MAD Foundation, që dërgon ndihma në Ukrainë dhe tërheq refugjatët për në Britani. Sot pasagjeri i tyre është një mace.