Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se nesër në Bruksel e pret një takim i vështirë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Sipas presidentit Serbia është e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe se në këtë kontekst është e gatshme të punojë mbi konceptin dhe zbatimin e planit të propozuar me kufizime të përcaktuara qartë.
Sipas mediave serbe, ai këtë e tha gjatë një takimi telefonik me këshilltarin special në Departamentin e Shtetit Amerikan, Derek Chollet, i cili i tha se pret që takimi i nesërm të jetë konstruktiv, me përparim të dukshëm drejt marrëveshjes.
Diplomati amerikan theksoi se SHBA-ja e përkrah plotësisht propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve dhe se duhet të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara më herët në procesin e dialogut, ku përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe.
Sipas mediumeve serbe, Vuçiç dhe Chollet diskutuan edhe për të ardhmen evropiane të Serbisë, të cilën SHBA-ja e mbështet, si dhe mundësitë e rëndësishme për zhvillimin e bashkëpunimit serbo-amerikan në fusha të ndryshme, veçanërisht në atë ekonomike, thuhet në njoftim.