Zbardhen detaje të reja nga dosja e vdekjes së vajzës nga Kenia që punonte në kazino në Tiranë. Në listën e të pyeturve për dosjen nuk ishte vetëm shoferi i kazinosë Rodi Barçi, por edhe koleget dhe shoqet e vajzës keniane.
Mes tyre ka qenë edhe Emili Mutua, kolege dhe shoqe e 22-vjeçares nga Kenia Joy Aoko.
Ajo ka dëshmuar se shoferi Barçi, sipas asaj që i kishte rrëfyer shoqja e saj nga Kenia, e shantazhonte për të vijuar lidhjen e tyre. Por shoferi i ka mohuar.
Ai u mbajt për 24 orë në komisariat dhe pasi u mor në pyetje u lirua. Megjithatë hetimet vazhdojnë për të zbardhur ngjarjen.
Historia nisi në 14 gusht të vitit 2022 kur Joy u shtrua për kurim në spitalin e Traumës, pasi u dhunua brutalisht dhe u hodh nga kati i dytë i banesës ku jetonte në rrugën “Pandeli Evangjeli” në Tiranë.
Policia reagoi duke u vendosur në lëvizje dy muaj me vonesë. Pak javë më parë vajza u dërgua në atdhe, ku ndërroi jetë.