Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u shpreh sot nga Mali i Zi, se mbështet planin franko-gjerman që BE u ka vendosur përpara në tryezë Albin Kurtit dhe Vuçiçit që sot do të takohen në Bruksel.
“Shqipëria nuk është superfuqi, sikur është BE, apo SHBA. Kjo nuk i takon Shqipërisë t’ju thotë palëve në dialog, pa kushte, me kushte. Kjo është një çështje që u takon palëve në dialog.
Janë ata që vlerësojnë, që kanë përgjegjësinë për të vendosur për vendet e tyre dhe janë ata që paguajnë kostot e vendimmarrjeve të gabuara.
Nuk ka asnjë rrugë tjetër, cdo rrugë tjetër është iluzion që i krijohet popullit për politikë, për vota, për luftra të brendshme, por nuk ka lidhje me të ardhmen.
Dua shumë të shpresoj, jam i angazhuar me zemër dhe mendje që të lutem që çështja mes Serbisë dhe Kosovës të hyjë në një dialog pa kthim dhe më shpjet sesa vonë të jetë një çështje e të dyja vendeve dhe të mos jetë nevoja që superfuqitë t’i marrin për veshi sa herë grinden në oborrin pas shkollës.
Mendoj që marrëveshja e bazuar në planin franko-gjerman është më e mira që ka qenë ndonjëherë në tavolinë. Por unë respektoj sovranitetin e dy palëve për të vendosur për veten e tyre.
Eshtë e pashmangshme që unë dhe Shqipëria të jemi në krah të Kosovës që u uroj, kthjelltësi, vendosmëri dhe sukses” tha Rama.