-sidi education-spot_img
4.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ministria e Financave me “duar të lidhura” për Bordin e Transparencës

Kryesoret

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj e nisi vitin 2023 me lajmin e shumëpritur të shkrirjes së Bordit të Transparencës në fushën e hidrokarbureve. Por pak ditë më pas, dikasteri që ajo drejton, konfirmoi zyrtarisht për Faktoje vazhdimësinë e Bordit, duke vërtetuar edhe njëherë se ‘nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë.’ Nga verfikimet tona rezultoi gjithashtu se jetëgjatësinë e Bordit e ka në dorë vetë Bordi, jo Ministria e Financave.

“Tashmë jemi në një situatë ku çmimet e karburanteve kanë krijuar një stabilitet dhe nuk kanë luhatje të mëdha në bursat ndërkombëtare dhe jemi në një proces të vendimmarrjes për pezullimin e aktivitetit të bordeve.”- lajmëroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, gjatë një interviste të dhënë më 12 janar për televizionin ABC News.

Të njëjtin qendrim shfaqi më herët edhe ministrja e Energjisë Belinda Balluku, një tjetër anëtare e rëndësishme e Bordit të Transparencës për karburantet.

“I përket Ministrisë së Financave që ta marrë këtë vendim dhe për të thënë të drejtën do të ishte dhe i mirëpritur.” – u kujdes të theksonte Balluku më 9 janar të këtij viti.

Nisur nga këto deklarata, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Financave, cilësuar nga Balluku si përgjegjëse lidhur me vendimmarrjen e shpërbërjes së Bordit.

Por përgjigjja zyrtare e Ministrisë së Financave, vërteton edhe njëherë se “nga e thëna në të bërë, është në mes një det i tërë.”

“Referuar nenit 21/10 të aktit normativ në referencë, është parashikuar se situata e veçantë shpallet me VKM dhe se përfundimi dhe zbatimi i saj përcaktohen me vendim Bordi. Sa më sipër, deri tani nga ana e Bordit nuk është marrë një vendim i tillë, per shkrirjen e tij.”– pohoi zyrtarisht Ministria e Financave, ndonëse më herët drejtuesja e këtij dikasteri njoftoi shkrirjen e kësaj strukture.

Përse u tërhoqën financat?

Gjatë një raportimi në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Drejtori i Politikave Fiskale pranë Ministrisë së Financave, Niko Lera, njëherësh edhe anëtar i Bordit të Transparencës për hidrokarburet, hodhi dritë mbi arsyet që detyruan vendimmarrësit të tërhiqen nga shfuqizimi i bordit edhe për pak kohë.

“Në datën 5 shkurt është afati i fundit në lidhje me vendimet që ka marrë BE dhe komuniteti ndërkombëtar për naftën ruse. Kjo mund të krijojë situata jo normale në rritje të pakontrolluar të çmimeve dhe është përgjegjshmëri e plotë që në kushtet e paparashikueshmërisë në të ardhmen të ruhet edhe për një farë kohe për të parë si do të shkojnë situatat, çmimet e kontrolluara.” – argumentoi Lera duke shtuar: “Nëse situata do të stabilizohet natyrisht që vendimmarrësit do të marrin vendimet e tyre. Por nëse bordi do të ishte shfuqizuar menjëherë dhe çmimet do të rriteshin jashtëzakonisht duke krijuar premisa edhe për fitime spekulative tej fitimeve normale, atëhere natyrisht që qeveria do të kishte përgjegjësi.”– pohoi ai përpara deputetëve më 24 janar 2023.

Vendimi për shkrirjen e bordit i takon … bordit

Ndonëse ministrja Ibrahimaj u zotua publikisht për shkrirjen e Bordit, përgjegjësinë për këtë vendimmarrje, qeveria ia ka lënë në dorë vetë anëtarëve të bordit. Referuar aktit normativ të miratuar nga qeveria në mars të vitit të kaluar, shkrirjen e bordit e vendos vetë bordi, jo ministria e Financave.

 “Zbatimi i parashikimeve të këtij kreu fillon me shpalljen e situatës së veçantë me vendim të Këshillit të Ministrave. Përfundimi i situatës së veçantë dhe i zbatimit të parashikimeve të këtij kreu përcaktohet me vendim të Bordit.”- saktësohet në nenin 21/10 të Aktit Normativ.

Bordi i Transparencës në fushën hidrokarbure ka në përbërje të tij 12 anëtarë dhe vendimet merren me shumicë të thjeshtë.

“Në rastet e konfliktit të interesit të përfaqësuesve të shoqërive hidrokarbure, ndaj të cilave merret masë administrative, përfaqësuesi merr pjesë pa të drejtë vote në mbledhjen e Bordit dhe përjashtohet nga vendimmarrja.”

Kontrolli i çmimeve përmes bordit, politikë e panevojshme

Edhe pse jemi në prag të njëvjetorit të funksionimit të Bordit të Transparencës për karburantet, Lindita Milo (Lati), ish-Kryetare e Komisionit të Konkurrencës, pohon për Faktoje se kontrolli i drejtpërdrejtë i çmimeve nga shteti nuk ishte zgjidhje.

“Kontrolli i drejtpërdrejtë i çmimeve nga shteti, apo ndërhyrja në një masë drastike të shtetit në tregje, në formën që po aplikohet në vendin tonë, nuk është rruga e duhur. Së pari, duhej që nëpërmjet politikave strukturore të mundësohej që tregu të kishte frymëmarrje për lirinë e hyrjeve dhe daljeve të operatorëve të tregut. Roli i shtetit është promovimi dhe mundësimi i barazisë në treg. Këto politika do të mundësonin një treg më funksional, në të cilin operatorët do të kundërvepronin edhe në kohë krizash, si kjo që po kalojmë, në mënyrë më racionale dhe objektive në kontekstin e vendit dhe të karakteristikave të fuqisë blerëse, pasi do të kujdeseshin për vijueshmërinë e biznesit në mënyrë afatgjatë dhe të shëndetshme. Dhe kjo është politika e duhur për mbrojtjen e konsumatorit. Së dyti, në vendin tonë janë ngritur dhe funksionojnë të gjitha institucionet publike të pavarura dhe të qeverisjes qendrore dhe vendore, të cilat po të bashkëveprojnë, kanë të gjithë infrastrukturën ligjore dhe administrative që të ushtrojnë kontrollet dhe presionet për të parandaluar, evidentuar e për rrjedhojë, për të ndaluar rastet e abuzimeve të operatorëve të tregut me çmimet dhe me cilësinë e produkteve të ofruara për konsumatorin shqiptar.”- shprehet Milo.

Ndërkaq, zërave kritikë ndaj Bordit të Transparencës i është shtuar së fundmi edhe ai i Autoritetit të Konkurrencës. Përmes një vendimi që kishte objekt hetimin paraprak të tregut të naftës dhe benzinës, Komisioni i Konkurrencës ka vlerësuar se çmimet e rekomanduara, si edhe ato të fiksuara mund të kenë efekte negative në konkurrencë.

“Çmimet e rekomanduara mund të ndihmojnë koordinimin e çmimeve midis konkurrentëve si pasojë e transparencës dhe mund të çorientojnë konsumatorët rreth nivelit të arsyeshëm të çmimit. Çmimet e fiksuara janë instrumente rregullatore, por që kanë efekt për konkurrencën dhe reduktojnë përfitimet e konsumatorëve që janë rezultat i konkurrencës së tregut. Gjithashtu çmimet maksimale të fiksuara mund të mbrojnë konsumatorin nga çmimet e larta në treg, por krijojnë një mungesë të konkurrencës efektive,” shkruhet në vendimin e Komisionit të Konkurrencës.

Nafta zbret në nivelet e paraluftës

Për herë të parë pas thuajse një viti, çmimi i naftës në vendin tonë ka zbritur në nivelet e para luftës. Në vendimin e datës 4 shkurt, Bordi i Transparencës vendosi që, nafta do të tregtohet deri në 192 lekë për litër, ndërsa benzina deri në 187 lekë për litër.

“Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 190 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 178 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 185 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 173 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 75 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 63 lekë/litër për automjetet.”– shkruhet në vendimin e Bordit të Transparencës.

Edhe në bursat ndërkombëtare, çmimet e karburanteve kanë zbritur në nivelet më të ulëta që nga janari i vitit 2022./ Faktoje

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit