Sot dështoi sërish ballafaqimi mes bashkëpunëtorit të drejtësisë Luftar Reçi dhe të dyshuarve për dy vrasje të ndodhura në 27 dhe 28 Shkurt të 2005. Mes disa arsyeve shëndetësore, ai shprehej ndër të tjera se “të më shoqëroni mua drejt gjykatës do të jem si qingji në mes të ujqërve”.
Pretendimet e tij janë mbështetur edhe nga Prokurorja e çështjes Elida Kaçkini, e cila kërkoi që dëshmia të merret nëpërmjet mënyrave audiovizive duke konsideruar rrezikun. Por pretendimet e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe të SPAK janë kundërshtuar nga avokatët e të pandehurve në këtë proces.
Avokati i Viktor Ymerit theksoi se Reçi ka vite që thekson se nuk ndihet mirë, por kjo nuk është shkak që ai të mos marrë pjesë në një proces kaq të rëndësishëm. Avokati i Plarent Dervishajt Ilia Ilia, u shpreh se mbi dëshmitë e tij janë ngritur akuzat, dhe ai nuk ndodhet këtu. Sipas tij, Reçi nuk mban mend sa ka gënjyer dhe se ka frikë të dëshmojë pasi mund të mos thotë të njëjtën gjë.
I ashpër në qëndrimin e tij ishte edhe i pandehuri Emiljano Shullazi, pasi ai kërkoi që të ishte përballë bashkëpunëtorit të drejtësisë për të sqaruar akuzat në drejtim të tij. Pas një sërë debatesh, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi që të rrëzonte kërkesën e SPAK dhe të bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe të urdhëronte shoqërimin e detyruar të tij në Gjykatë. Reçi do të paraqitet në Gjykatë më 20 Mars në orën 9:30. Po ashtu janë thirrur edhe 10 dëshmitarë.
“Më rrezikohet jeta”/ SPAK merr me forcë spiunin e Shullazit