Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nuk pranoi që të japë detaje nëse do të jetë forca e tij politike që do të regjistrojë koalicionin me Sali Berishën si në 6 marsin e vitit të kaluar dhe nëse do të ketë një listë të përbashkët për këshillat bashkiakë.
“Kandidatët nuk janë të Sali Berishës, por Primareve, një proces historik i aplikuar me guxim dhe kurajë në një shtet që qeveriset nga një klikë mafioze.
Procesi i Primareve tashmë ka nxjerrë super kandidatë që nuk i takojnë më Sali Berishës dhe as demokratëve, por të gjithë qytetarëve dhe sidomos atyre që kërkojnë ndryshim.
Nuk ka mekanizëm, hile dhe poshtërsi që i ndalon kandidatët që të regjistrohen dhe të jenë fitues. Këtë proces e udhëheqin qytetarët” tha ai.
A do të pranoni në listat e këshillave edhe kandidatët e Berishës? “Kemi një marrëveshje historike me PD-në sa i takon edhe çështjes së këshillave dhe shndërrimit të tyre në tribuna ku do të vijnë vetë qytetarët që të flasin.
Bashkëpunimi do të funksionojë në mënyrë të mrekullueshme. Frika dhe Berisha nuk kanë lidhje me njëri tjetrin. Jemi online me zotin Berisha dhe kandidatët e Primareve.
Berisha është vetë vula e gjallë e PD-së në të gjitha aspektet” tha ai.