Ka ndërruar jetë nga infarkti në burgun e Peqinit, Edmond Batra alias (Edi) Mond Batra, i dënuar me burgim të përjetshëm për dy vrasje. Batra është arrestuar në vitin 1997 për akuzën e grabitjes me armë në dy raste me pasojë ekzekutimin e kambistit, Lulash Kroni dhe muzikantit Marian Trepçi. Pikërisht për këto 2 krime të rënda, Batra është dënuar nga gjykata e Apelit Tiranë me burgim të përjetshëm.
Lulash Kroni, në atë periudhë punonte si kambist në Shkodër kur Batra ka hyrë për ta grabitur. Por pasi është ndjerë nga Kroni, ai e ka qëlluar me armë, duke e lënë të vdekur në vend. Për këtë ngjarje Edi Batra është shpallur fajtor dhe dënuar me burgim të përjetshëm. Vrasja e kambistit Lulash Kroni, solli serinë e hakmarrjeve mes dy familjeve, pasi djali i Lulashit, 6 muaj pas ekzekutimit të babait, ka udhëtuar drejt Milanos në Itali, ku ka ekzekutuar me armë zjarri vëllanë e Edi Batrës, Land Batra.
Ndërsa një episod tjetër për të cilën është akuzuar Batra, është një tentativë grabitje e një qytetari tjetër në Shkodër, i cili quhej Marian Trepçi dhe punonte si muzikant. Grabitësit kishin hyrë në oborrin e shtëpisë së Marjanit, për t’i vjedhur makinën, por pasi ai i ka ndjerë dhe u ka folur autorëve, Mariani është qëlluar për vdekje.