Komisioni i Disiplinës ka dënuar tifozët e Partizanit dhe Tiranës pas incidenteve në derbi. Për sjelljen e tifozëve në derbin e kryeqytetit, prishjen e stolave dhe hedhjen në fushë të sendeve jo të lejuara (flakadanë dhe shashka), Tirana është dënuar me katër ndeshje pa tifozë, ndërsa Partizani me dy ndeshje. Gjithashtu dy ekipet janë gjobitur me një shumë të majme.
- FK Partizani, për sjelljen e gabuar të spektatorëve duke hedhur sende brenda rrethimit të fushës si dhe dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive që shkaktuan ndërprerje të përkohshme të lojës, në bazë të neneve 50, 63, 64/2, 65/3/a 65/3/c, dhe 65/3/f të KDS, dënohet me zhvillimin e 2 (dy) ndeshjeve pa spektatorë si dhe gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë. FK Partizani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.
- Zyrtari i KF Partizani, Ervin Hajdari, për provokim të publikut, në bazë të nenit 55/2 të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
- KF Tirana, për sjelljen e gabuar të spektatorëve duke hedhur sende brenda rrethimit të fushës si dhe dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive që shkaktuan ndërprerje të përkohshme të lojës, në bazë të neneve 50, 64/2, 65/2, 65/3/a, 65/3/c, 65/3/f dhe 65/4/b të KDS, dënohet me zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë si dhe gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë. KF Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.