Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë sot se pret që të arrihet një marrëveshje në takimin e ardhshëm me presidentin serb Aleksander Vuçiq në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe ka hedhur poshtë edhe një herë mundësinë e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, shkruan Beta.
“Ne deshëm ta nënshkruanim marrëveshjen më 27 shkurt. Fatkeqësisht, presidenti Vuçiq nuk deshi ta (nënshkruan atë). Kjo marrëveshje bazë e propozuar nga Bashkimi Evropian është një bazë solide për të ecur përpara dhe shpresoj që më në fund do ta arrijmë më 18 mars”, ka thënë Kurti për Euronews, transmeton Beta.
Kryeministri i Kosovës ka ripërsëritur qëndrimin e tij se kërkesa e Serbisë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas marrëveshjes së Brukselit, nuk do të përmbushet.
“Unë jam këtu si kryeministër i të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga identiteti i tyre kombëtar, përkatësia etnike apo fetare. Prandaj, dua t’i kënaq të gjithë qytetarët në përputhje me të drejtat, nevojat dhe dëshirat e tyre. Për shkak të rendit juridik të shtetit tonë demokratik, zgjidhjet monoetnike nuk janë të mundshme”, ka potencuar Kurti.