Mbyllet epoka e Artan Lames në krye të Kadastrës. Kryeministri Edi Rama prezantoi sot shefen e re, që është Dallëndyshe Bici. Arsye për largimin e Lames nuk kishte, por shefi i qeverisë e justifikoi lëvizjen duke thënë se duhet një shtyrë e re me një tjetër ritëm më të lartë.
“Sot është koha për një shtysë të re, me një ritëm tjetër për këtë fazë për të garantuar stabilitet të pronës, të marrëdhënies me qytetarëve dhe shtetit në aspektin e pronës. Është bërë një punë e madhe por e pamjaftueshme dhe tani duhet të shkojmë më tutje” tha ai.
Për drejtoreshën e re, Edi Rama kishte disa porosi duke filluar nga korrupsioni nga brenda. “Duhet ndryshimi i skemës së organizimit. Këtu jemi për atë që nuk është bërë. Jo vetëm që duhen mbyllur të gjitha sportet por duhet ndryshuar skema e organizimit. Nuk duhet të funksionojë më me sfera influence apo çifliqe. Procesi duhet të marrë një tjetër vrull dhe të futet në një tjetër fazë.
Duhet të merren masa shumë serioze lidhur me “bishtat” e të keqes në institucion, të korrupsionit që janë të kudo ndodhur në Kadastër. Drejtorja e re, një nga detyrat që ka është që të merret drejtpërdrejt me një Taks Forcë për të çuar aty ku e kanë vendin ata që kanë luajtur “bishtin” e institucionit për interesin e tyre.
Duhet bashkëpunim edhe me SPAK për AMTP-n për korrupsionin e së kaluarës që nga koha e komunave dhe që prodhon edhe sot dokumente, AMTP që jepen tani dhe që pretendohet që janë dhënë në 1991-92” tha ai. Në fund, Rama u ndal edhe te satelitët. “Duhet futur në punë shërbimi satelitor në mënyrë që puna e Kadastrës të marrë plotësisht dimensionin teknologjik” tha ai.
“I çmendët njerëzit”! Lame tregon SMS-të me Ramën pas ikjes: Dhuratë për ditëlindjen
Në prezantimin e drejtueses së re të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Dallëndyshe Bici ishte e pranishme edhe drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Ajo u shpreh se 74 shërbimet e Kadastrës janë online në E-Albania dhe se u janë kursyer qytetarëve 110 vite pritje në radhët e tmerrshme të hipotekave. Karçanaj ka deklaruar ndër të tjera se do të dixhitalizohet edhe sistemi i legalizimeve dhe se përgjigjia do të jetë me vulë dixhitale.
“Kur qeveria nisi revolucionin dixhital edhe ata që ishin më optimistët nuk e besonin se mund të kishte shërbime dixhitale për Kadastrën. Kurrsesi nuk mund të mendonin që do të kishin certifikata të pronave me vulë dixhitale.
E pra te 74 shërbimet e Kadastrës sot janë online në e-albania, që nga regjistrimi fillestar i pronës, tek regjistrimi i akteve të trashëgimisë, tek saktësimi i kufijve. 640 mijë aplikime janë bërë vetëm në e-albania. Përfundimi ka qenë me vulë dixhitale, u janë kursyer qytetarëve 110 vite pritje në radhët e tmerrshme në dyert e hipotekave. Kemi një sistem të integruar që ju shërben të gjitha institucioneve publike.
I kemi kushtuar vëmendje dhe përmirësimit të sistemit. U implementua radha, ai aplikim që vjen i pari, ai do të trajtohet i pari. Nuk ka nevojë më të kërkosh një mik në Kadastër sepse mjafton të bësh një klik. Tani qytetari informohet me SMS ose e-mail që kërkohet një dokument shtesë për aplikimin e tij. Agjencia shikon në kohë reale se kush vonohet dhe pse vonohet.
Kemi krijuar më në fund modulin e regjistrimit fillestar, ku tashmë janë të certifikuara me nënshkrim elektronik dixhitalizimet masive që po vazhdojnë. Deri tani, ka pasur gabime pafund në dixhitalizimet masive, faji mbetej jetim, tani nuk mbetet më i tillë. Nuk kemi më në Kadastër, sistemi i vjetër e i ri. Kemi një sistem të integruar multifunksional që është në shërbim të të gjithëve. U përmirësua dhe infrastruktura, si në qendër, ashtu edhe në zyrat rajonale, nuk kemi asnjë vonesë.
Tani jemi gati për implementimin e teknologjisë “block chain”. Jemi duke implementuar, duke e bërë në këtë moment për të gjitha transaksionet e pronës. Qytetari do të njoftohet për çdo njoftim që është bërë, si dokument shoqërues. Njoftimi shkon dhe në organet ligjzbatuese. I ka ardhur koha përmirësimit të shërbimeve në e-albania. Do i optimizojmë dhe në 6-mujorin e ardhshëm, do të integrojmë pagesën e menjëhershme.
Nuk do të kemi më çifligje: Tirana veri, Tirana jug, sistemi është në gjendje që të shpërndajë punën në mënyrë të barabartë kudo, tek ai punonjës që është i lirë, tek ai i cili ka radhë që është në Shkodër apo në Tiranë, mjafton që dosja e plotë fizike të skanohet, të dixhitalizohet me nënshkrim elektronik dhe personi të fillojë punën.
Më në fund do të dixhitalizojmë edhe sistemin e legalizimeve. Deri tani ka qenë vetëm aplikimi në e-albania, tani do të jetë i plotë i gjithë procesi i punës. Çdo hap do të jetë dixhital, transparent dhe përgjigjia do të jetë me vulë dixhitale” tha drejtuesja e AKSH, Mirlinda Karçanaj.