Përplasja e dy trenave mbetet ende kryefjalë në Greqi ku vdiqën 57 persona, mes tyre edhe 6 shqiptarë. Në shtetin helen kanë “shpërthyer” protesta aq më tepër pasi mediat zbuluan se ngjarja nuk erdhi si pasojë e një fatkeqësie por e një pakujdesie nga ana e drejtuesit të stacionit dhe makinistit.
Së fundmi, mediat greke kanë raportuar disa audiopërgjime të dy punonjësve të cilët pak çaste përpara përplasjes fatale, kishin patur kohë edhe të shkëmbenin batuta apo t’i jepnin njëri-tjetrit këshilla se ku mund të gjenin ndonjë ‘qebatore’ cilësore.
Më 28 shkurt 2023, gjithçka dukej se po shkonte keq për hekurudhën në zonën e Larisës. Probleme të përsëritura teknike, vonesa në rrugë, rritje ngarkese dhe karikimit në zyrën e stacionit. Dialogjet para se të ndodhte tragjedia tregojnë qartë se sa i papërgatitur dhe në fund të fundit i papërshtatshëm për postin e drejtuesit të stacionit ishte Vasilis Samaras.
Në përgjimet e dy personave, pra të drejtuesit të stacionit dhe makinistit zbulohen përpos batutave me referenca banale seksuale, merrnin edhe këshilla, ku njëri pyeste tjetrin nëse njihte ndonjë qebatore të mirë.
Drejtuesit e stacioneve, kishin patur kohë gjithë ditën për t’u relaksuar dhe për të përdorur frekuencën frekuencën radiofonike shtetërore të OSE-së për të shkëmbyer shaka të çmendura, vulgare seksuale dhe informacione për njëri-tjetrin.