Vit pas viti Shqipëria po përkeqëson treguesit e lindshmërisë në raport me Europën duke u renditur në krye të vendeve me normën më ulët të lindshmërisë.
Sipas një renditje që publikoi Eurostat për vitin 2021, Shqipëria u rendit e katërta në Europë pas Maltës, Spanjës dhe Italisë me 1.31 fëmijë për grua.
Indeksi i fertilitetit, i cili tregon numrin mesatar të fëmijëve që pritet të lindë një grua në moshë riprodhuese është përkeqësuar me shpejtësi në 30 vitet e fundit duke u pakësuar me rreth 4 herë..
Të dhënat tregojnë se Shqipëria ka nivelin më të ulët të fertilitetit në Rajon. Edhe Serbia që kishte normat më të ulëta të lindjeve në rajon është nuk është përkeqësuar. Në vitin 2021 në serbi norma e fertilitetit ishte 1.52 dhe mbeti e pandryshuar në raport me një vit më parë.
Gjithashtu Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut u renditen me mirë se Shqipëria (shiko grafikun bashkëngjitur).
Shtyrja e moshës për martesë, synimet për karrierë dhe në shumë raste pamundësitë ekonomike po bëjnë që gratë shqiptare të lindin gjithnjë e më pak fëmijë.
Sipas të dhënave të brendshme nga INSTAT indeksi sintetik i fertilitetit ra në 1,32 fëmijë për grua më 2021 nga 1,34 fëmijë që ishte ky tregues më 2020 dhe 1,36 që ishte në vitin 2019. Në vitin 2001, sipas INSTAT, ky tregues ishte 2.1, ndërsa në vitet 1970 ishte mbi 5.
Me këtë ecuri popullsia e Shqipërisë pëson rënie në mënyrë të pakthyeshme për shkak se tashmë lindshmëria është shumë poshtë normës së zëvendësimit dhe gratë nuk arrijnë të zëvendësojnë vetveten./Monitor