Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot është pyetur nga gazetarët për deklaratën e Lajçakut se pa asociacion nuk ka marrëveshje. Kurti tha se asociacioni përbën gjashtë pikat e para të një marrëveshje 25 pikëshe e cila është e 16-ta prej 39.
“Ne jemi dakorduar për propozimin evropian me iniciativë frankogjermane e i mbështetur nga SHBA dhe Italia dhe aty janë pesë fjali në preambulë, janë 11 nene gjithsej. Le ta diskutojmë planin e zbatimit. Unë e kuptoj që Serbia shtynë shumë për çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe, apo zajdenicën siç e kemi quajtur ndryshe.
Ajo është në nenin 10, njëra prej 33 marrëveshjeve. Në fakt kur kam shikuar tash së fundi, bashkë me konkluzione që janë bërë në Bruksel, del që nga 2 korriku i vitit 2011, deri më 25 gusht 2015, janë 39 marrëveshje gjithsej dhe Asocacioni përbën gjashtë pikat e para të një marrëveshje 25 pikëshe e cila është e 16-ta prej 39.
Natyrisht, ne e dimë qëndirmin e Serbisë, por unë duhet t’i referohem asaj që jemi marrë vesh dhe atë keni mundur të lexoni që tqë gjithë. Ndërkaq plani i zbatimit duhet të negociohet në Ohër e mbase jo vetëm në Ohër”, tha Kurti.