KQZ është mbledhur për të vendosur nëse PD do të pranohet për të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 14 Majit. PD me kryetar Lulzim Bashën nuk ka pranuar të depozitojë dy shkresat që kërkoi Ilirjan Celibashi.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Indrit Sefa tha se me këtë zvarritje që ka bërë Ilirjan Celibashi i ka shkaktuar një dëm të madh partisë Demokratike për shkak se nuk ka mundësi që të bëjë koalicione teksa nesër mbyllet afati.
“Kjo vendimmarrje edhe zgjatja e këtyre afateve i ka sjellë një dëm PD-së. Sot jemi në limite të bërjes së kërkesës për koalicione zgjedhore që është data 15 Mars. Vendimmarrja juaj mesa kuptohet është e njëjtë.
Afati që keni vendosur ju publikisht prej 48 orë kishte mbaruar në orën 10 të dalës 11 dhe prej më shumë se 100 orë nuk morët një vendim. Veprimet dhe mos veprimet tuaja në kohë i shkaktuan PD-së një dëm të jashtëzakonshëm duke mos i dhënë mundësi të jetë pjesë e koalicioneve zgjedhore.
Qëndrimi juaj nuk është mjaftueshëm korrekt për autorizimin. Ka të posaçme dhe përgjithshme. Në këtë rast kemi të bëjmë me autorizim të përgjithshëm dhe unë si i përfaqësues kisha të gjitha tagrat.
Por interpretimi juaj që nuk ka datën e zgjedhjeve nuk mund të merret për bazë, përsa kohë ishte i vlefshëm për cdo lloj date zgjedhjesh vendore të 2023-shin dhe për të gjitha rastet është i vlefshëm. Nuk kemi ndërmend që të sjellim dokumente të tjera, pasi i kemi dorëzuar të plota” tha Sefa.