Seanca në Gjykatën Themelore në Prishtinë për rastin e vrasjes së politikanit të opozitës serbe nga Kosova, Oliver Ivanoviç, është shtyrë për 25 maj për shkak se dëshmitarja Milena Popoviq nuk është paraqitur më.
Kjo nuk është hera e parë që seanca shtyhet për shkak të mosparaqitjes në gjykatë të Milena Popoviqit, bashkëshorte e pakurorëzuar e Oliver Ivanoviqit.
Prokurori Burim Qerkini vlerësoi se procesi gjyqësor po vonohet për shkak të kësaj dëshmitareje dhe sugjeroi që gjykimi të vazhdojë pa të.
Megjithatë, gjyqtari Valon Kurtaj bëri të ditur se trupi gjykues ka marrë vendim që edhe një herë të tentohet të merret deklarata nga Popoviq përmes video-lidhjes, të cilën ajo e ka kërkuar nga gjykata që t’ia lejojë.
Në një njoftim me shkrim drejtuar gjykatës më 4 mars, ajo deklaroi se nuk mund të merrte pjesë në seancë “për shkak të situatës aktuale politike”.
Gjykatësi Kurtaj tha se deklarata e Milena Popoviqit duhet të merret përmes departamentit për ndihmë juridike ndërkombëtare, i cili funksionon në kuadër të misionit EULEX (Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit).
Ministria e Drejtësisë e Kosovës dhe ajo e Serbisë nuk bashkëpunojnë, prandaj në këtë rast nevojitet ndërmjetësimi i EULEX-it për marrjen e deklaratave të dëshmitarëve.
Avokati mbrojtës, Dejan Vasiq, ka theksuar se “një numër i madh i seancave kryesore janë shtyrë për shkak të mungesës së Milena Popoviqit”, dhe është pajtuar me prokurorinë se dëshmia e saj nuk ka qenë vendimtare për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit./rel