Mbrëmjen e së dielës, 58-vjeçarja Mimoza Paja u vra në vendin e punës, një lokal në Don Bosko në pronësi të shtetasit Fatjon Murati.
58-vjeçarja punonte 16 orë në ditë pasi kishte qiranë për të paguar, borxhe të pashlyera dhe një mbesë 10-vjeçare për të rritur. Kjo e fundit jetonte me të, pasi prindërit e saj ishin divorcuar. Mamaja e 10-vjeçares pas divorcit ishte martuar në Kosovë, por njerku nuk e kishte pranuar vajzën e vogël në familjen e tij. 10-vjeçarja jetonte me gjyshen dhe përpiqej ta ndihmonte atë në punë aq sa mundej.
Edhe Mimoza Paja, në moshën 5-vjeçare bashkë me dy motrat dhe vëllain e saj mbetën jetimë. Pasi u martua, Mimoza solli në jetë 3 vajza, tashmë të martuara, dhe një djalë beqar. Si një grua e fortë dhe besnike ajo i kishte qëndruar në krah ish-bashkëshortit të saj të sëmurë deri në frymën e tij të fundit 2 vite më parë. Pak kohë më parë ajo kishte humbur vëllain e vetëm dhe tronditjen ende nuk e kishte kaluar.
Jeta e saj u ndërpre në mes, pasi plumbat e bandave kriminale i morën jetën padrejtësisht ndërkohë që ajo punonte për bukën e gojës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 24 orë nga ngjarja e rëndë, policia nuk ka asnjë autor të dyshuar.
Marrë nga JOQ.