“Financial Times” publikoi të mërkurën një shkrim për situatën e kriminalitetit në Shqipëri. Gazeta ka intervistuar edhe Sali Berishën. “Udhëheqësi i opozitës Sali Berisha, një ish-president dhe kryeministër, pretendoi se futja e tij në listën e zezë nga SHBA në vitin 2021 ishte rezultat i kontakteve të dyshuara të Ramës me McGonigal,” shkruan FT.
“Vendimi i SHBA-së, tetë vjet pasi u largova nga pushteti… bazohet tërësisht në fuqinë lobuese të Edi Ramës”, tha Berisha për FT. Por “Financial Times” nënvizon edhe lidhjet e ngushta të Edi Ramës me George Soros, emri i të cilit është lakuar nga opozita si personi që ka lobuar për shpalljen e Berishës si person non-grata.
Shkrimi ndalet edhe te situata e kriminalitetit. Në shkrim thuhet se Rama është zvarritur në disa skandale që kanë njollosur emrin e tij. Sakaq shkruhet se bandat shqiptare janë zgjeruar nga plantacionet ilegale të kanabisit deri te trafikimi i kokainës dhe heroinës direkt nga Amerika Latine dhe Azia. Miliona euro u derdhën në Shqipëri, duke ndihmuar në zhvillimin e pasurive të paluajtshme luksoze përgjatë bregdetit të Mesdheut.