Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka sulmuar kryeministrin Albin Kurti duke thënë se është i etur për pushtet dhe ka kapur të gjithë institucionet e vendit. Sipas tij, Kurti ka bërë një transformim të madh vetëm se ka lakmi për të qenë i fuqishëm.
“Po na del ndër më të etshmit për pushtet, më i etshmi që ka ekzistua ndonjëherë. Nuk kemi parë ne ndonjëherë ndryshim kaq evolutiv të një pushtetari në periudhën para dhe pas zgjedhjeve. Pra nuk ka ndodhur ndonjëherë një transformim aq i madh sa ka ndodhur me Kurtin. Është e paimagjinueshme, Kurti opozitar me Kurtin në pushtet. Pra ky del që është lakmitar i madh në pushtet.”, ka deklaruar Haradinaj në Këndin e Debatit në TV 1.
Sipas Haradinajt, e gjithë kjo dëshirë për pushtet do t’i japë fundin si kreu i qeverisë së Kosovës.
“Ekziston një teori thonë: Zullumi këputet prej trashit. Këtij ka me ia hangër kryet kjo lakmia e madhe me kap shtetin dhe me e kapë pushtetin, sepse o kah e bon pa kritere, me keqpërdorime të jashtëzakonshme, pa bazë ligjore, o kah e bon me sjellje të ulëta.
Edhe kjo ka me i kështu te shumë profesionistë, te shumë njerëz kredibil kanë me e pa që nuk qenka fare kriter ekspertiza apo diçka po vetëm a je lidhje e shkurtër, a je militant, a je një prej atyre që këta s’kanë dyshime në ty me bo dallavere me ty dhe korrupsioni i Qeverisë Kurti është më i keq se i të gjitha qeverive më herët për shkak se nuk është fare korrupsion, është lidhje e shkurtër.”, ka shtuar Haradinaj.