Osman Mehmedagiq, ish-drejtor i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë i Bosnjë dhe Hercegovinë, është futur në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara më 15 mars.
Ky vendim është publikuar në ueb-faqen e Departamentit amerikan të Thesarit.
Në “listën e zezë” amerikane është futur edhe Dragan Stankoviq, u.d i drejtorit dhe më pas drejtor i Administratës së Republikës Sërpska për Çështje të Pronës dhe Gjeodezisë.
Ndërkaq, personi i tretë i sanksionuar nga SHBA-ja është Edin Gaçanin, i cili thuhet se është “një prej trafikantëve më të mëdhenj në botë të drogës”.
“Tre individët e sanksionuar paraqesin kërcënim për stabilitetin rajonal, besimin institucional dhe aspiratat e atyre që kërkojnë qeverisje demokratike në Ballkanin Perëndimor”, tha Brian E.Nelson, nënsekretar i Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të shënjestrojnë ata që përfshihen në korrupsion dhe minojnë marrëveshjet dhe institucionet e pasluftës që janë krijuar si pjesë e Marrëveshjes për Paqe të Dejtonit”, tha Nelson.
Sipas Thesarit amerikan, Mehmedagiq si drejtor i përgjithshëm i Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Bosnjës, kishte keqpërdorur kompaninë shtetërore të telekomunikacionit në favor të Partisë për Veprim Demokratik (SDA), një prej partive më të mëdha në vend.
“Mehmedagiq përdori BH Telecom për të mbledhur të dhëna të telefonave mobilë të politikanëve të Bosnjë e Hercegovinës që nuk ishin të lidhur me SDA-në. Ai po ashtu instruktoi një person për të ndjekur një zyrtar qeveritar të lidhur me partinë opozitare të entitetit të Republikës Sërpska”, u tha në njoftimin e SHBA-së./rel