Vjosa u shpall tre ditë më parë Park Kombëtar, që është unik për Shqipërinë po edhe për Europën, i cili e fut vendin tonë në një tjetër kategori të hartës turistike europiane dhe hap një tjetër rrugë të re për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e social.
Sot kryeministri Edi Rama tha se në të gjitha bashkitë që kalon lumi do të investohen 80 milionë dollarë për kanalizimet që të mos derdhen më ujërat e zeza në Vjosë.
“Dua të them domosdoshmërinë që ka parku për të pasur një qendër ekselence, e kërkimit shkencor, e projekteve të zhvillimit, të koordinimit të të gjithë dijes për mënyrën sesi duhet menaxhuar në këtë kohë sfidash kaq të mëdha një park kombëtar i këtyre përmasave.
Është një park gjigant që përkon të gjithë trupin e vendit. Jemi në një bisedim edhe me Greqinë, me kryeministrin për të ndërtuar një sinergji përtej kufirit për ta trajtuar këtë shtrat të Vjosës si një pasuri të përbashkët, për të investuar dijen, pastaj financës.
Janë 80 milionë dollarë vendosur në dispozicion të këtij parku që të gjitha bashkitë të mos derdhin më ujërat e zeza në lumin Vjosë. Projekt masiv për kanalizimet në të gjitha këto bashki dhe përpunimin e ujërave të ndotura” tha Rama.