Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka takuar në Strasbourg raportuesin në Parlamentin Evropian mbi çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, Thijs Reuten.
Sipas njoftimit të ZKM’së, eurodeputeti holandez e ka përgëzuar Kosovën për progresin në zbatimin e reformave të agjendës evropiane e politikat qeverisëse si dhe përparimin e bërë në zhvillim ekonomik, demokratizim e sundim të ligjit.
Kurti e ka ftuar eurodeputetin që ta vizitojë Kosovën në muajt në vijim.
“Duke e ftuar eurodeputetin Reuten që ta vizitojë vendin tonë në muajt në vijim, Kryeministri Kurti e falënderoi për takimin dhe diskutimet e shpeshta, produktive e të frytshme me të dhe eurodeputetët socialdemokratë”, thuhet në njoftim.
Në takim, bashkë me kryeministrin Kurti ishin edhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.