Aktori i njohur Leonardo di Caprio ka përshëndetur vendimin e qeverisë shqiptare për shpalljen e lumit Vjosa Park Kombëtar. DiCaprio është një ndër zërat më të fuqishëm që ka bërë fushatë për mbrojtjen e lumit Vjosa dhe shpalljen e tij park kombëtar.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social, Instagram, aktori i njohur shkruan se tashmë Vjosa do të rrjedhë e lirë përgjithmonë dhe do jetë një pasuri që do t’ua lëmë brezave të ardhshëm.
“Sot është bërë historia. Bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare, shoqërisë civile dhe biznesit dhe ka krijuar Parkun e parë Kombëtar të Lumit të Egër në Evropë. Lumi Vjosa do të rrjedhë i lirë përgjithmonë, nga burimi në det, për ta shijuar brezat e ardhshëm. Një vizion i ri për ruajtjen globale të ujit është këtu. Urime për të gjithë ata që e bënë realitet këtë përpjekje të mahnitshme”, shkruan aktori Leonardo di Caprio.
View this post on Instagram
Fushata për mbrojtjen e Vjosës mori një shtysë kur Leonardo DiCaprio postoi në lidhje me të në Instagram në vitin 2019, duke thënë: “Ky është një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës: por për sa kohë?”
Me vendim të Këshillit të Ministrave Vjosa u shpall Park Kombëtar, çka do të thotë se në nuk do të lejohet asnjë lloj ndërtimi që cenon lumin Vjosa. E gjithë sipërfaqja e lumit Vjosa, zona bregore, një pjesë e sipërfaqes tokësore, bashkë me tre degët e lumit Drino, Bënsh, Shushicës është shpallur Park Kombëtar, me një sipërfaqja totale 12 727 hektarë.
Shpallja e lumit Vjosa si Park Kombëtar ndihmon ruajtjen e një prej lumenjve të fundit të egër të Europës. Ky status nuk do të mbrojë vetëm lumenjtë, por pritet të kthehet edhe në një burim të ardhurash për zonën.