Dy orë pasi doli nga dera e SPAK-ut, kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi ka reaguar duke sqaruar arsyen se përse u mor në pyetje. Ai shprehet se qytetari Muharrem Hoqja e ka denoncuar duke pretenduar se i është kryer sulm personal. Por Bushi thotë se ka zbatuar ligjin për 3 ndërtime pa leje.
“Duke respektuar strikt proçedurën hetimore dhe në respekt të informimit të publikut për aq sa më lejon ligji, dua të bëj me dije se sot kam qenë në zyrat e SPAK për të dhënë dëshminë time ne lidhje me kallëzimin e një qytetari nga Kruja, Muharrem Hoqja, i cili ka pretendimet për sulme personale nga ana Kryetarit të Bashkisë Krujë, në lidhje me zbatimin e ligjit ndaj tij, për tre ndertime pa leje të bëra nga ky shtetas, ndaj të cilave janë marrë të gjitha masat ligjore!
Thirrja në SPAK ishte vetëm për këtë pjesë dhe nuk ka asnjë lidhje me proçedurat e prokurimeve dhe tenderave publike. Dhashë shpjegimet e mia në përgjigje të ftesës së Prokurorisë, mbi çështjen në fjalë dhe do të vij sa herë që do të jetë e nevojshme prania ime, sepse unë nuk i shmangem të vërtetës dhe ligjit. Çdo aludim tjetër dashakeq në media apo portale e quaj pjesë të fushatës politike të 14 Majit, e cila tashmë ka filluar dhe për fat të keq, opozita ka zgjedhur baltën dhe dezinformimin e publikut”, tha Bushi.