Kryeministri Edi Rama i kërkoi biznesit që të rrisë pagat e punonjësve. Ai zhvilloi një takim me sipërmarrjen për të diskutuar mbi domosdoshmërinë e rritjes së mëtejshme të pagave.
“Jemi duke siguruar korrektimin e të gjithë sistemit të pagave si përgjigje e menjëhershme ndaj vështirësive të paparashikuara që janë krijuar kudo prej agresionit të Putinit dhe inflacionit të luftës.
Ne tani po shikojmë pagën mesatare. Do të bëjmë një rritje të pagave si fillim dhe po shikojmë një skemë të re të të gjitha pagave. Është shumë e vështirë, por do të bëhet.
Të njëjtën gjë unë u bëj thirrje ta bëni edhe ju. Nuk luhet me punonjësit. Ka ikur ajo kohë. Punonjësi është më i rëndësishëm se vetura e re, jahti, apo vila në det” tha ai.
Nga data 1 Prill paga minimale si në sektorin shtetëror, ashtu edhe në atë privat do të jetë 40 mijë lekë, si një premtim i mbajtur.