Bandat shqiptare të trafikut të lëndëve narkotike kanë marrë kontrollin e furnizimit me kokainë në Amerikën e Jugut, me të cilën kanë “përmbytur” edhe Britaninë. Ky konstatim u bë sot nga DailyMail pas një hetimi ku evidentohej se baza e trafikut është Ekuadori, ndërsa tregu përfundimtar Britania e madhe.
Sipas burimeve, një figurë misterioze e botës së krimit nga Shqipëria, e njohur vetëm me iniciale, thuhet se është një nga organizatorët e krimit në krye të një rrjeti tregtarësh droge që furnizonin me kokainë profesionistët e klasës së mesme, udhëtarët dhe studentët.
Në pjesën e dytë të hetimit të medias britanike, flitet për një bos ekuadorian që thyen kodin mafioz të heshtjes për të zbuluar se si banda e tij po punon me trafikantët shqiptarë për të transportuar drogën në Europë.
Në një rrëfim të jashtëzakonshëm, ai tregon se si e kreu sulmin e tij të parë vrasës në moshën 14-vjeçare. DailyMail zbulon gjithashtu historinë e patreguar të një prej narkotrafikantëve më famëkeq të Shqipërisë, i cili është liruar para kohe në mënyrë të dyshimtë nga një burg në Ekuador.
Dritan Rexhepi është quajtur “mbreti i arratisjeve” për shkak të arratisjes nga burgjet në Belgjikë dhe Shqipëri; dhe “mbreti i kokainës” për ‘suksesin’ e tij në futjen e kokainës në Evropë.
Rexhepi, i cili është paraqitur në listën e “Most Wanted” në Scotland Yard, është tipik i shumë narkotrafikantëve shqiptarë me bazë në Ekuador, të cilët, duke anashkaluar ndërmjetësit tradicionalë, negociojnë drejtpërdrejt me prodhuesit e kokainës në Amerikën e Jugut dhe komandojnë të gjithë zinxhirin e furnizimit për sjelljen e narkotikëve nga Amerika e Jugut në Evropë, në veçanti në Mbretërinë e Bashkuar.