Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar një takim me prindër dhe banorë të njësisë numër 5 për t’u njohur me problematikat që ato hasin për arsimimin e fëmijëve të tyre. Kryetari i Partisë së Lirisë u shpreh se barrën më të rëndësishme në familje për t’u kujdesur për fëmijët e kanë gratë.
Angazhimet e grave në punë dhe familje sjell rritje të kostove pasi jo në pak raste një familje është e detyruar të marrë një kujdestare për fëmijën, tha kryetari i Partisë së Lirisë. Kostot dhe vështirësitë tha kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta rriten edhe më shumë për shkak të problematikave me të cilat qytetarët përballen çdo moment.
Trafiku i rënduar që vjen për shkak të numrit të lartë të ndërtimeve në Tiranë, mungesa e parkimit, e kopshteve dhe çerdheve publike bën që vështirësitë dhe kostot të shtohen, u shpreh Meta. Kryetari i Partisë së Lirisë u shpreh se vota e qytetarëve të Tiranës është keqpërdorur dhe bëri thirrje që në 14 maj të votohet koalicioni ‘Bashkë për Fitore’ dhe kandidati i opozitës Belind Këlliçi.
“Në rast se këtu bëhet një ndërtim që nuk merr në konsideratë as hapësirën e gjelbërt, nuk merr në konsideratë as çështjen e trafikut, as çështjen e parkimit, as çështjen nëse do të ketë një kopsht apo një çerdhe e kështu me radhë, kjo na dëmton të gjithëve.
Dhe ne ndjejmë këtë, që ungesa e vëmendjes ndaj interesit publik për shkak të korrupsionit dhe për interesa individuale të atyre që kanë ushtruar pushtetet dhe kanë përdorur votën dhe besimin e qytetarëve pra, kanë bërë gjëra të ndryshme nga ato që kanë premtuar na ka sjellë në këtë situatë ku jemi sot” tha ai.