Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli fajtor dhe dënoi Jetmir Kastratin (alias Sokol Krasnici) me 13 vjet e 6 muaj burgim për trafik droge. Për shkak të gjykimit të shkurtuar pas uljes së 1/3 të masës së dënimit, i pandehuri Jetmir Kastrati (alias Sokol Krasnici) është dënuar përfundimisht 9 vjet burgim, dënim të cilin duhet ta vuajë në burg të sigurisë së lartë.
Që nga viti 2012 deri në Qershor 2019 i pandehuri Jetmir Kastrati (alias Sokol Krasnici), në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, akuzohet nga SPAK se ka trafikuar sasi shumë të mëdha kokaine në Danimarkë, Suedi dhe Norvegji, nga shitja e të cilës ka siguruar të ardhura me origjinë kriminale.
Këto të ardhura pas vitit 2012 janë shndërruar në pasuri të ndryshme të luajtshme dhe paluajtshme në Shqipëri, duke bërë në këtë mënyrë pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale, nëpërmjet investimeve në pasuri të paluajtshme në zonën e Velipojës dhe qytetin e Shkodrës, si dhe aktivitete ekonomike në qytetin e Shkodrës, siç ishte një biznes pulari me emrin tregtar “RENS 2015”, pasuri apo aktivitete ekonomike këto të regjistruara në emër të të afërmve të të pandehurit, të konfiskuara më parë.
Zbulimi i aktivitetit kriminal, hetimi dhe gjykimi i këtij të pandehuri, në lidhje me pastrimin e produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale është bërë falë bashkëpunimit të ngushtë të Prokurorisë së Posaçme me autoritetet e drejtësisë së Danimarkës dhe Norvegjisë.