Përfundon afati 14 ditor i KQZ-së për aplikim për certifikim të kandidatëve dhe partive politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e 23 prillit në Veri të Kosovë. Lista Serbe nuk ka aplikuar. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është përmbyllur afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq dhe në zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023”, ka thënë Elezi.
Në 23 prill pritet të mbahen zgjedhjet për kryetarë të komunave në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviçit.
Zgjedhjet në Veri u patën caktuar të mbahen më 18 dhjetor, mirëpo për shkak të tensioneve atje, presidentja Osmani mori vendim për shtyrjen e tyre për 6 muaj. Por edhe tani Lista Serbe bojkotoi.