Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar konfirmon zyrtarisht për “5Pyetjet.al” se është duke hetuar ish-zv/ kryeministrin Arben Ahmetaj. “5Pyetjet.al” u interesua duke pyetur prokurorinë nëse do të kërkojë nga Kuvendi heqjen e imunitetit për deputetin socialist, por SPAK deklaroi se veprimet dhe aktet hetimore në këtë fazë përbëjnë “sekret hetimor” dhe për këtë arsye nuk mund të jepet informacion.
“Procedimi penal është në fazën e hetimit paraprak. Bazuar në kërkesat e nenit 279 te Kodit të Proçedures Penale, në këtë moment proçedural dhe në fazën ku ndodhen hetimet, veprimet hetimore dhe aktet hetimore përbëjnë “sekret hetimor”. Si rrjedhim, nuk mundet t’ju japim informacion në lidhje me sa kërkoni” tha SPAK-u për “5pyetjet.al”.
Pak ditë më parë SPAK kontrolli shtëpinë e partneres dhe ish-gruas së ish-ministrit të Financave Arben Ahmetaj dhe në media u raportua se socialisti është nën hetim për 4 akuza. Prokuroria e Posaçme po e heton Ahmetajn për veprat penale që i përkasin dy procedimeve penale, inceneratorin dhe pasurinë, të cilat janë bashkuar në një të vetëm.