50-vjeçari Ilirjan Ymeri është vënë në pranga pasi në qytetin e Fierit, në një zonë noterie kishte goditur operatorin e emisionit investigativ dhe i kishte thyer celularin gazetares së këtij emisioni.
Mësohet se noterja me inicialet A.H, zyra e së cilës po filmohej prej operatorit dhe gazetares është ish-bashkëshorta e Ilirjan Ymerit. Veprimet e tij kanë ardhur me pretendimin se nuk duhet të filmonin dhë pasi ka kërkuar të largoheshin nga zyra.
Njoftimi i Policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, sapo kanë marrë njoftim se në lagjen “15 Tetori”, Fier, në një zyrë noterie, një shtetas kishte goditur operatorin e emisionit investigativ “Stop” dhe i kishte thyer celularin gazetares së këtij emisioni, menjëherë kanë organizuar punën duke identifikuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Fier, shtetasin I. Y.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin I. Y., 50 vjeç, banues në Fier, ish-bashkëshorti i noteres, shtetases A. H.
Ky shtetas, ditën e sotme, në lagjen “15 Tetori”, Fier, në zyrën e noterisë të shtetases A. H. (ish-bashkëshortja e tij), kur ka parë operatorin dhe gazetaren e emisionit “Stop”, që po filmonin në zyrën e noteres, ka goditur operatorin dhe i ka thyer celularin gazetares, me pretendimin se nuk duhet të filmonin dhe duhet të dilnin nga zyra e noteres. Operatori dhe gazetarja kanë qenë duke ndjekur ankesën e një qytetari, për noteren A. H.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës”.