Pas vendimit të mos marrjes pjesë në zgjedhje ka ardhur edhe reagimi i Listës Serbe.
Sipas deklaratës ata janë shprehur se mos marrja pjesë në zgjedhje është pasojë e dhunës së vazhdueshme institucionale të ushtruar ndaj popullit serb nga regjimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit, duke privuar serbët nga të gjitha të drejtat e njeriut në tokën evropiane.
Ata gjithashtu u shprehën se kjo ka të bëjë edhe me mos përmbushjen e kërkesave të tyre që bëri që ata të largohen nga institucionet e Kosovës, përkatësisht formimi i Unionit të Komunave Serbe dhe tërheqja e të gjitha forcave speciale nga veriu i Kosovës.
“Në dy vitet e mëparshme, regjimi antiserb i Alibin Kurtit ua mohoi serbëve në Kosovë dhe Metohi të drejtën e votës në zgjedhje dhe referendume, ndaloi vaksinimin kundër virusit korona dhe pengoi dërgimin e barnave dhe mjeteve mjekësore, arrestoi, persekutoi dhe akuzoi serbët pa asnjë provë, dhe megjithëse ka marrëveshje në Bruksel, pengoi përdorimin e targave KM në Kosovë dhe Metohi nën kërcënimin e forcës dhe në këtë mënyrë i privoi popullit serb të drejtën e lirisë së lëvizjes, çdo ditë ata ngacmojnë popullin serb dhe qëllojnë serbët, me duartrokitje të ministrit të Kurtit, Sveçla,” thuhet në njoftim.