Inceneratorët janë një nga kauzat kryesore të opozitës kundër qeverisë në dy vitet e fundit. Laku sa vjen dhe po ngushtohet për zyrtarët e lartë. Pas arrestimit të ish-ministrit Lefter Koka dhe deputetit Bllako, tashmë janë intensifikuar hetimet ndaj ish-zv/ kryeministrit Arben Ahmetaj.
Por çfarë po ndodh me inceneratorët? Pavarësisht shumave që janë harxhuar nga xhepat e taksapaguesve nuk bëhet asnjë incenerim, shërbim për të cilin u pagua. Megjithatë sot vazhdojnë që të harxhohen miliona lekë nga bashkitë për një proces që nuk ndodh.
Konkretisht bashkia e Prrenjasit e drejtuar nga Nuri Belba në 21 mars ka firmosur kontratën me një kompani duke e paguar 83 milionë lekë (8,332,847.8) për të dërguar plehrat në inceneratorin e Elbasanit, i cili nuk është në punë. Kontrata është për 12 muaj. Po ku shkojnë plehrat? Pak ditë më parë u zbulua se një pjesë digjen buzë lumit Shkumbin në mes të ditës.
Po duke qenë se në Elbasan digjen dhe nuk incenerohen, a nuk do të ishte më mirë që të digjeshin nga vetë bashkitë dhe të kursehej kostoja miliona lekë që paguajnë qytetarët për transportin? Përpos kësaj, tenderi është kapur edhe me flamurin e kuq.