Pavarësisht se kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj u tërhoq për të vendosur kandidat në kryeqendrën e veriut, kryetari i degës së PD-së Shkodër, Xhevdet Amuli ka deklaruar se strukturat e Partisë Demokratike nuk do të mbështesin Bardh Spahinë për kryetar bashkie.
Amuli deklaroi se nuk e sheh të arsyeshme t’i orientojë demokratët për të mbështetur koalicion Berisha-Meta, për faktin se sipas tij, PL-ish LSI, ishte ajo që ka çuar në shkatërrimin e PD-së ndër vite.
”Struktura është e përgatitur dhe strukturës i intereson vetëm PD, edhe pse janë zgjedhje lokale, por më shumë se aq janë zgjedhje politike.
Kështu që në këtë moment, unë dhe strukturat e PD-së, do të punoj për PD, për listën e këshillit bashkiak, ku secili prej tyre mund të ishte një potencial për drejtimin e bashkisë. Unë nuk kam si të votoj PS, as PL, janë dy pole që ndër vite janë munduar të shkërmoqin PD-në. Ne do të votojmë PD, figurat e PD, këshillat bashkiakë, kjo është zgjidhja.
Unë nuk kam lidhje me asnjë subjekt te tjera dhe siç e thashë shkatërrimi i PD-së ndër vite është LSI, që në koalicionin e parë. Kandidati, pra Bardhi kujt i shërben? Berisha-Meta e kanë shkatërruar PD, e ka ardhur koha që ne të vazhdojmë drejt rrugë së saj, të ndahemi nga e kaluara.
Foltorja e ka filluar ‘reformën’ e administratës në Shkodër, duke larguar me personat më të vlefshëm të PD, dhe disa herë e kam denoncuar për këto largime nga puna, se janë larguar pa asnjë motivacion, kështu që nuk mund tu them demokratëve dhe t’i orientoj ata që të votojnë PL”, tha Amuli.