Bardh Spahia do të kandidojë për një mandat të plotë në Shkodër. Zgjedhjet e 14 Majit po vijnë dhe Spahia në muajt shkurt dhe marsin që ende nuk është mbyllur ka firmosur tetë tendera për rrugët. Asfalt elektoral, por me dyshime të forta.
Të gjithë tenderat në fjalë që janë firmosur “fap e fap” janë kapur me flamur të kuq nga faqja që monitoron prokurimet publike për të njëjtën arsye skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit.
45 milionë lekë i janë dhënë firmës “Curri” për rikonstruksionin e rrugës “Preng Morina”, 30 milionë lekë për fazën e dytë të rrugës “Milan Shuflaj” iu dhanë kompanisë “Ndërtuesi”.
47 milionë i janë tenderuar firmës “SMO Vataksi” për rrugën “Ethem Kazazi”. “Rroku GUEST SHPK” mori 56 milionë lekë për sistemim asfaltim të rrugës Oblikë – Pallate, faza e dytë. 37 milionë lekë i janë dhënë sërish firmës “Ndërtuesi” për rrugën e “Mendafshit”.
57 milionë të tjerë janë firmosur për investime në ndriçim rrugë dytësore. Fituesi është sërish ”Ndërtuesi 2014” bashkë me “Boris 2019” sh.p.k. Rikonstruksion degëzim i rrugës “Treni i Mallrave”, faza II është tenderi tjetër me 21 milionë lekë për firmën “Karl Gega SHPK”.
Tenderi i fundit është 213 mijë lekë për projektimin e rrugës “Selim Gjyrezi”. Nga tetë tenderat firma “Ndërtuesi” dy i ka fituar vetëm dhe një me bashkim operatorësh duke rezultuar më e përkëdhelura.