Tre ditë pasi u mbyll afati për dorëzimin e listave të kandidatëve dhe këshillave bashkiakë ende nuk dihet zyrtarisht sa kandidatë ka dhe ku do të garojë Partia Demokratike e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj për zgjedhjet e 14 Majit.
Vetë Alibeaj nuk pranoi që të jepte numrin. Sot u pyet vetë kryetari i KQZ-së, por edhe Celibashi tha se nuk e di, pasi dokumentacioni është dorëzuar jo vetëm në KQZ, por edhe në KZAZ dhe sot ose nesër do të dalë numri zyrtar.
“Akoma nuk e kemi këtë informacion. Kjo jo për neglizhencë, apo faj të dikujt, por duke qenë se dorëzimi i dokumentacionit është i fragmentarizuar, një pjesë dorëzohen në KQZ dhe një pjesë në KZAZ. Dokumentacioni po vlerësohet.
Sot ose nesër do të kemi një informacion zyrtar pasi të kemi bërë edhe vlerësimin e dokumentacionit. Disa të dhëna mund t’i jap. Ne na rezulton se janë 24 subjekte që kanë dorëzuar listat në KQZ. 39 parti që kanë dorëzuar listat në KZAZ.
Janë në total 832 lista me kandidatë për anëtarë të këshillit. 147 kandidatë për kryetar bashkie. Dokumentacion i depozituar për 147 kandidatë. Në total janë 22607 kandidatë që janë në proces verifikimi” tha Celibashi.