Kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj mblodhi sot deputetët, jo të gjithë, por vetëm një pjesë të vogël për të diskutuar për fushatën. Në fund, folën Flutura Açka dhe Arbi Agalliu. Të dy u shprehën se në fushatën për zgjedhjet lokale të 14 majit do të mbështesin kandidatët për kryebashkiakë nën logon e PD dhe jo të koalicionit Berisha-Meta që janë në të gjithë Shqipërinë.
“Në fushatë patjetër që do të marr pjesë, PD është në fushatë. Që mos t’i përçajmë demokratët deri në fund kush e nisi të mbajë përgjegjësi. Ne s’do hedhim kripë në plagë. Unë do mbështes PD, jam deputete e PD dhe njoh vetëm një logo, logon e PD” tha Açka.
Edhe deputeti Arbi Agalliu kishte të njëjtin qëndrim. “Unë do mbështes këdo që është nën logon e PD. Nuk mund kurrsesi të votoj…PD ka krijuar së fundmi, apo ezauruar të gjithë përpjekjet, ne do mbështesim këdo të djathtë që është kundër regjimit.
Në pjesën më të logjikshme të kësaj situate do duhet të japim një shembull për mos ta ndarë më tej elektoratin e djathtë. Cdo luftë e përpjekje do përqendrohet kundër kësaj qeveris, bashkive aktuale.
Ne kemi nxjerrë logon e PD duke u dhënë mundësi demokratëve të votojnë të djathtën. Kandidati i Vlorës e çdo kandidat tjetër është i lirë të mbajë qëndrimet e tij e shpresoj të votojnë atë parti nga e cila kanë dalë” tha ai.