Kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka hapur sot procedurat e prokurimit për ndërtimin e Infrastrukturës brenda zonës “TEDA”, Tiranë. Tenderi ka një vlerë mjaft të madhe, 487 milionë lekë të reja (487,503,640.44) pa TVSH.
Preventivi parashikon që me këtë vlerë të ndërtohet gjithçka brenda zonës ekonomike, infrastruktura e nevojshme. Në fillim të vitit të ardhshëm parashikohet që të kenë përfunduar punimet, pasi fituesi ka vetëm 9 muaj afat për t’i mbyllur.
Por çfarë është zona “TEDA”?
Në fund të vitit të kaluar Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për shpalljen “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” (TEDA), Tiranë, të një territori me sipërfaqe 35 hektarë dhe shpalljen e Bashkisë së Tiranës si zhvillues të zonës.
Projekti përfshinë zonën e Kasharit në kryeqytet dhe synon tërheqjen e industrisë prodhuese si asaj të automobilëve, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, pajisjeve elektronike, farmaceutike, agropërpunuese si dhe industrive të tjera që operojnë me standard ndërkombëtare.
Projekti i miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike në vitin 2020 dhe nga Këshilli i Ministrave, parashikon se periudha e funksionimit të “Zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” (TEDA), Tiranë, të jetë 35 vjet, me të drejtë përsëritjeje deri në 99 vjet.
Sipërfaqet që prek projekti në Yzberisht, Gropaj dhe Kashar i janë nënshtruar shpronësimit ose marrjes në përdorim të përkohshëm për interes publik. Vlera e investimit të projektit me potencial strategjik “TEDA Kashar” parashikohet të jetë 102 milionë e 666 mijë euro.