Prokurori i Speciales në fjalën e tij, deklaroi se nga 440 incidente ku u ndaluan persona të ndryshëm nga UÇK-ja, së paku 144 prej tyre nuk kanë mbijetuar.
“Ata vdiqën mizorisht sepse konsideroheshin kolaboracionistë”, tha prokurori i ZPS-së.
Prokurori në fjalën e tij u shpreh se ata ishin edhe pjesëtarë të UÇK-së e disa serbë, boshnjakë, romë e të tjerë.
“U ndaluan si kolaboracionistë. Në atë kohë, kjo akuzë ishte e rëndë e madje vdekjeprurëse”, tha ai.
Në Jabllanicë, ai tha ishin rrahur për vdekje së paku dy persona. Njëri ishte vrarë me armë zjarri e tjetri kishte vdekur nga rrahja, edhe pasi ishte dërguar në një spital të UÇK-së. Prokurori tha se në Llapushnik u mbajtën 38 persona, të gjithë pa proces gjyqësor. Ai tha se të akuzuarit ngarkohen për vrasjen e dhjetë personave.
“Një grup tjetër prej 20 personave u liruan, kurse 2 nga ta që u arratisën, u kapën dhe u vranë“, tha ai.
Prokurori përmendi edhe fshatin Zllash, ku UÇK mbajti së paku 8 persona.
“Ata akuzohen për vrasjen dhe zhdukjen me forcë të së paku një personi”.