Bujqit e qytetit bullgar Ruse, e kanë bllokuar rrugën kryesore që e lidh me Rumaninë, javën e kaluar, duke e pamundësuar kalimin në urën kryesore mbi Danub.
Me mbishkrimet “Ndaleni gjenocidin në bujqësi” dhe “Ne duhet të jemi konkurrentë”, bujqit bullgarë ka thënë se rreth 40 për qind e të korrave të tyre nga viti i kaluar – kryesisht grurë dhe luledielli – kanë mbetur të pashitura.
Për pasojë, teprica e mbetur ua ka zënë vendin dhe nuk kanë më hapësirë për korrjet e këtij viti.
Arsyeja?
Gruri i lirë ukrainas, dhe produktet tjera që e kanë vërshuar tregun, për të cilat Bashkimi Evropian ka aplikuar lehtësira doganore, me qëllim që t’i ndihmojë ekonomisë ukrainase, pas shpërthimit të luftës në atë shtet.
Bujqit bullgarë nuk janë të vetmit që shqetësohen, pasi protesta të ngjashme janë mbajtur edhe në Rumani e Bullgari.
Prandaj, presioni ndaj liderëve të BE-së sa shkon e rritet, pasi disa bujq kanë shkuar aq larg, sa kanë sugjeruar që importet e produkteve bujqësore ukrainase, duhet të ndalohen.
Por kjo nuk do të thotë që bujqit evropianë nuk kanë simpati për homologët e tyre ukrainas.
Daniela Dimitrova, lidere rajonale e Sindikatës së Prodhuesve të Grurit në Bullgari, ka thënë për agjencinë e lajmeve AP se “ne solidarizohemi me Evropën dhe mbështetjen e saj për Ukrainën”, e cila dikur është konsideruar shporta ushqimore e Bashkimit Sovjetik.
Mirëpo, ajo ka thënë se, “Komisioni Evropian duhet t’i kushtojë vëmendje secilit vend anëtar dhe t’i bëjë bujqit më konkurrues në tregje”.
Bujqit në Bullgari, të cilët rrisin luledielli – një prej produkteve që eksporton më së shumti ky shtet – kanë thënë se nuk mund të garojnë me valën gjigante të mallrave ukrainase në tregje.