Marinza dhe Patosi në kronikat e lajmeve kanë qenë gjithmonë kryefjalë vetëm për ankesat kundër kompanisë “Bankers”, por së fundmi një tender i hapur nga bashkia me drejtuese Rajmonda Balilajn ka tërhequr vëmendjen e jo pak njerëzve.
Qendra e qytetit do të ketë një statujë të re. Do të jetë “Fontana”. Vepra e artit do u kushtojë taksapaguesve 30 milionë lekë. Balilaj thotë se kjo vepër do të pozicionohet në sheshin që ndodhet në bulevardin “Shëtitore Republike”.
Por kujt i shkoi mendja për të paguar 30 milionë lekë në këtë kohë krize për këtë statujë? Në relacionin e tenderit që mban firmën e vetë kryebashkiakes, Balilaj tregon se nga e mori spunton.
“Prej vitesh qyteti i Patosit, kryesisht zona e Marinzës, janë burimi më i madh furnizues me naftë për vendin tonë. Duke patur një rëndësi kaq të madhe ekonomike dhe një vlerë të pakrahasueshme si një nder furnizuesit kryesorë në vend, do të ishte me rëndësi kulturore si simbol i zonës vendosja e një vepre të tillë, përfaqësuese e kësaj pasurie nëntokësore të qytetit të Patosit.
Një vlerësim dhe përfaqësim dinjitoz do të arrihet nëpërmjet kësaj vepre e cila nga vetë emri “Fontana” do të thotë burim nafte. Kjo skulpturë është konceptuar në këtë mënyrë duke u lidhur me figurën femërore për dy arsye subjektive nga ana e artistit të veprës.
Së pari, referuar vetë emrit “Nafta”, në aspektin gjuhësorë kemi të bëjmë me një emër të gjinisë femërore. Së dyti, në admirim e respekt të femrës” thuhet në dokumente.
Por a nuk do të ishte më dinjitoz vlerësimi nëse së pari shqetësimet e atyre banorëve për ndotjen nga nafta të zgjidheshin njëherë e mirë? Po ndonjë taksë nga shfrytëzuesit e naftës ka marrë bashkia, apo kompania ka dalë me humbje?