Dy persona janë arrestuar dhe dy të tjetër janë shpallur në kërkim pasi në lokalin e tyre u zbulua kokainë, heroinë dhe kanabis. Në kuadër të operacionit “Unik” u arrestuan Klejdi Çela i dënuar më parë dhe Zhanri Hajdari, Marsel Korreshi dhe Selim Koçi u shpallën në kërkim. Katër personat ushtronin në formën e grupit, veprimtarinë kriminale të shitjes së drogave të forta dhe kanabisit brenda lokalit.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë lokal, u gjetën 120 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 39 gram lëndë e dyshuar narkotike heroinë, si dhe dhjetëra doza të dyshuara lënde narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan së bashku me 9 celularë, 1 automjet dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga shitja e lëndëve narkotike. Gjithashtu, lokali ku kryhej kjo veprimtari kriminale, u bllokua nga shërbimet e Policisë.