Në Romë po zhvillohet ceremonia fetare e “Rrugës së Kryqit” të së Premtes së Madhe Katolike.
Pasdite nga Vatikani është bërë e ditur se Papa Françesku do të marrë pjesë në ceremoni nga manastiri i Shën Martës në Vatikan ku jeton, për shkak të rënies së temperaturës në orët e fundit.
Mësohet se Papa u lirua nga spitali një javë më parë dhe mjekët e këshilluan që të mos i nënshtrohej stresit të tepruar për të shëruar bronkitin kronik me të cilin u diagnostikua.
“Rruga e Kryqit” e këtij viti (Via Crucis) i kushtohet nevojës për të kapërcyer luftën në të gjithë botën dhe që paqja të mbizotërojë sa më shpejt të jetë e mundur.
Në katërmbëdhjetë “stacionet” dëgjojmë, ndër të tjera, dëshmi nga Amerika Qendrore dhe Jugore, nga Kongo, Lindja e Mesme dhe Ukraina.
Bien në sy reflektimet e dy të rinjve nga Ukraina dhe Rusia: i pari u detyrua të largohej nga Mariupoli për të shpëtuar veten, ndërsa i dyti humbi vëllanë e tij, vetëm tetëmbëdhjetë vjeç, në front.
Besimtarët, megjithatë, që shkuan në Koloseum, në këtë kohë dëgjojnë edhe historinë e një gruaje që në Amerikën e Jugut u plagos nga minat, si dhe emigrantit që përjetoi përvoja të tmerrshme në një qendër paraburgimi në Libi.
Secila prej këtyre dëshmive, siç nënvizojnë komentuesit, kontribuon në paraqitjen e realitetit të vështirë të sotëm, “Luftës së Tretë Botërore në faza të ndryshme”, të cilit Papa i është referuar vazhdimisht. Françesku, sot pasdite, në Shën Pjetrin, u kërkoi të gjithë sundimtarëve, në planetin tonë, të bëjnë gjithçka që është e mundur për të promovuar paqen. Duhet përmendur, në fund, se pas çdo reflektimi i referohet mundësisë së pajtimit dhe bashkëjetesës paqësore të njerëzve, pa dallim feje, etnie dhe besimi.
Shihni fotot



