Shefja e Misionit të Vëzhguesve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet vendore të 14 Majit Audrey Glover, ditën e sotme ka mbajtur një konference për mediat.
Mes të tjerash ajo sqaroi se për të monitoruar garën e 14 majit, ODIHR do të ketë 24 vëzhgues.
“Do doja të theksoja fjalën vëzhgojmë, pra kemi parasysh monitorimin e zgjedhjeve, të standardeve ndërkombëtare, vëzhgim para, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve. Kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë me autoritete vendase, do doja të shprehja falënderimet e MiEPJ, KQZ po ashtu. Do kemi 13 ekspertë të vendosur në Tiranë, që përfshijnë analistë politikë, ligjor, dhe një për zgjedhjet, dy analistë mediash, një për pakicat kombëtare dhe koordinatorë, ekipet e vëzhguesve afatgjatë, ekspert për burimet njerëzore, sigurinë dhe financat, dhe po ashtu zëvendësi im. Do kemi edhe 24 vëzhgues afatgjatë.
Para zgjedhjeve do kemi ekspertë dhe monitorues afatshkurtër që do të informohen në Tiranë dhe do shpërndahen në qendrat e votimit në vend. Në ditë e zgjedhjeve bashkë me ne do jetë një delegacion nga Parlamenti i BE. Kemi ardhur këtu pa pasur asnjë ide paraprake apo axhendë fikse. Jemi këtu të vëzhgojmë duke parë performancën e tyre. Do lemë të flasin faktet“, tha ajo.