“Pronat do t`i merrni aty ku i kishit”. Ky ishte zotimi i kandidatit të opozitës për Bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi, para banorëve të Kombinatit, të cilëve u janë shembur apartamentet dhe deri më tani bashkia nuk u ka dhënë zgjidhje.
Gjatë takimit të organizuar nga “Grupimi për Kombinatin”, kandidati i opozitës Belind Këlliçi e cilësoi vjedhje shembjen e shumë pallateve në Kombinat, duke u marrë pronën qindra familjeve, që sot janë në qiell të hapur. Këlliçi u angazhua që pas 14 majit, këto familje të përfitojnë pronën që kishin, në të njëjtin vend dhe me të njëjtën sipërfaqe si më parë.
Katër vjet pas tërmetit, dhe pasi ka shembur dhjetëra pallate në Tiranë, Erion Veliaj refuzon të përballet me banorët që u ka marrë pronën nën preteksin e rindërtimit. Belind Këlliçi u shpreh se Erion Veliaj i shmanget përballjes me qytetarët, por dhe me atë vet, pasi sipas tij, kryebashkiaku aktual është në shërbim të ndërtuesve dhe jo të qytetarëve.
Gjatë bashkëbisedimit me banorë të Kombinatit, Belind Këlliçi foli edhe për angazhimin e tij, që pas 14 majit, transporti publik në Tiranë të jetë falas për qytetarët. Ndërsa solli në vëmendje faktet e publikuara në media, që tregojnë se kryebashkiaku aktual në gjashtë muaj ka jetuar vetëm 1 muaj e gjysëm në Tiranë, Belind Këlliçi u shpreh se Erion Veliaj është në panik nga premtimi për ta bërë transportin publik falas.
Para banorëve të Kombinatit, Belind Këlliçi prezantoi dhe dy angazhimet e tjera të programit të tij, ndalimin e derdhjes së ujërave të zeza në lumin Lana si dhe krijimin e 500 oazeve në çdo lagje të kryeqytetit.