Arqipeshkvi, Imzot Arjan Dodaj në vigjilje të Pashkës u shpreh se paqja nuk vjen asnjëherë nëpërmjet armëve, por vetëm përmes dashurisë. Lutja e tij ishte që Shqipëria të kthehet në një vend shprese dhe oportuniteti për të rinjtë dhe familjet e reja.
“Shqipëria, me shpresën që jep Ringjallja, të kthehet në sinonim shprese, Shqipëria të kthehet në një oportunitet dhe jo më utopi për zemrat e gjithë të rinjve dhe familjeve të reja dhe po ashtu për ato kategori që janë më të mënjanuara, ndoshta sepse nuk janë pjesë e një qarku të caktuar. Shqipëria, me Ringjalljen e Krishtit Zot, të ketë forcën për të mposhtur dimrin demografik, jo vetëm për hemorragjinë e shkaktuar nga emigrimi, por edhe për uljen e ndjeshme të numrit të të lindurve. Pashka është forca e dashurisë që na rijep jetën dhe shpresën të gjithëve.
Pashka është jeta që jep arsye për jetën, në çdo familje, veçanërisht për të rifilluar nga familja. Për këtë aryse edhe vendi ynë të rifillojë nga familja, duke mbështetur të rinjtë që duan të krijojnë familje, nëpërmjet shpresës për një shtëpi, për një punë të paguar me dinjitet, dhe për fëmijët që kanë të drejtën të vijnë në jetë dhe të vlerësohet merita në formimin e tyre arsimor, pavarësisht statusit social nga ku vinë” tha ai.