Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shtroi iftar për myslimanët, të cilët shërbejnë në ushtrinë e Ukrainës.
Pos ushtarakëve, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik ndërsa presidenti ukrainas deklaroi se tani e tutje kjo darkë do të bëhet tradicionale gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
“Sot ne fillojmë një traditë të tillë për Ukrainën, një iftar në nivel zyrtar, së bashku me heronjtë tanë, ushtarët e pranishëm myslimanë, së bashku me mexhlisin e popullit tatar të Krimesë dhe përfaqësuesit e të gjithë komunitetit mysliman të Ukrainës. Për më tepër, ne me këtë konfirmojmë se vlerësojmë çdo person dhe komunitet”, pohoi ai.
Zelensky theksoi se diversiteti është baza e karakterit të Ukrainës së pavarur, të cilën çdo kush e dëshiron.
“Dhe ky karakter të na fuqizon gjithmonë dhe të na drejton drejt veprave të mira”, tha ai.
Zelensky përfundoi duke pohuar se është mirënjohës ndaj myslimanëve të vendit dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar mysliman, të cilët, ashtu si ukrainasit, kërkojnë paqe dhe mbrojtje nga e keqja.