Policia e Korçës ka arrestuar një 48-vjeçar dhe një 56-vjeçar, të cilët kishin kontrabanduar mallra ushqimore dhe i kishin kaluar në pikën doganore Goricë pa dokumentacion përkatës.
Njoftimi i Policisë:
Qarku Korçë/Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Skip”, për goditjen e kontrabandës së mallrave. U kapën duke transportuar me 2 automjete, mallra ushqimore të kontrabanduara, vihen në pranga 2 shtetas. Vihet në pranga edhe një doganier i Pikës Doganore Goricë, si dhe procedohet penalisht një punonjës i Policisë Kufitare Goricë, pasi dyshohet se shpërdoruan detyrën, duke lejuar kalimin e mallrave, në mënyrë të paligjshme. Sekuestrohen mallra të ndryshme ushqimore.
Specialistët e strukturave hetimore të DVP Korçë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në inteligjencën informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Skip”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: -O. Ç., 48 vjeç, banues në fshatin Orman, Maliq; -R. O., 56 vjeç, banues në fshatin Rëmbec, Maliq; -E. Ç., 62 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, me detyrë doganier në Pikën Doganore Goricë.
Shërbimet e Policisë, në aksin rrugor “Pustec-Korçë”, pranë vendit të quajtur “Qafa e Zvezdës”, kanë ndaluar 2 automjete me drejtues shtetasit O. Ç. dhe R. O., në të cilat, gjatë kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan mallra të ndryshme ushqimore, pa dokumentacionin përkatës. Nga veprimet hetimore rezultoi se këta dy shtetas i kishin kaluar këto mallra nëpërmjet Pikës Doganore Goricë, pa kryer veprimet përkatëse.